Menaxhimi i kanaleve të rezervimit dhe Mbishitja

Në këtë artikull do t’ju prezantojmë dy strategji të tjera mbi menaxhimin e të ardhurave. E para është Menaxhimi i kanaleve të rezervimit dhe e dyta është Mbi-shitja.

Çfarë është dhe si funksionon menaxhimi i kanaleve të rezervimit?

Operatorët e shërbimeve kanë disa lloje kanalesh rezervimi si për shembull rezervimet e drejtpërdrejta, agjensitë e udhëtimit, kontratat me korporata, etj. Qëllimi i menaxhimit të këtyre kanaleve është të maksimizojë të ardhurat duke kufizuar disa kanale me përfitime të ndryshmë në kohë të ndryshme.

Kanalet e ndryshme konfigurohen në një numër më të vogël grupesh dhe menaxhohen njëkohësisht. Në këtë rast mund të jetë e dobishme të mbyllni ato kanale që janë më pak fitimprurëse. Kjo mund të ngadalësojë shpejtësinë me të cilën rezervohen dhomat, por rrit Normën Mesatare Ditore.

Kanalet e rezervimit përfaqësohen në Sistemin e Menaxhimit të Pronave (PMS) të një hoteli ose programin e menaxherit të kanaleve nëpërmjet listave të çmimeve apo planeve tarifore. Shumë prej këtyre planeve të tarifave janë të menaxhueshme (d.m.th. mund të mbyllen ose hapen në një moment specifik në kohë për një interval specifik të datave). Për menaxhimin efektiv të të ardhurave, është e rëndësishme që të keni një listë të plotë të të gjitha planeve të çmimeve me marzhet përkatëse dhe pa llogaritur uljet (i njohur gjithashtu si ‘norma bazë’) pastaj t’i gruponi ato në 3 ose 4 kategori të bazuara në nivelin e tyre të përfitimit. Pas kësaj, menaxhojini duke mbyllur kanalet më të shtrenjta (dhe më pak fitimprurëse) kur kërkesa dhe ritmi i rezervimit është i lartë. Në fund to të shihni se Norma Mesatare Ditore do të rritet gjatë periudhave të sezonit të lartë, gjë që çon në një rritje proporcionale të fitimeve tuaja.

Megjithatë nuk duhet të neglizhoni kontrollet periodike për rastet kur kanalet e rezervimit duhet të rihapen kur kërkesa është më e ulët nga sa ishte parashikuar.

Çfarë është dhe si funksionon mbishitja?

Mbi-shitja është një strategji mjaft e përdorur për të shmangur anullimet e ardhshme.  Nëse prisni të keni dy anullime atëhere duhet të mbi-shisni dy dhoma.

Megjithatë, pavarësisht se është një ide e thjështë, nuk ka shumë hotelierë që e përdorin këtë strategji. Në fakt, shumica e menaxherëve e mbyllin disponueshmërinë e dhomave të lira edhe para se të arrijnë 100% rezervime. Kjo vjen si pasojë e frikës nga mundësia që do t’u duhet të kthejnë mbrapsht një klient.

Por, kur çmimet e mbi-shitjes implementohen ashtu siç duhet, shanset që të keni një klient të tepërt minimizohen dhe të ardhurat tuaja rriten.